Pas më shumë se 26 vjetëve nga lufta në Kosovë, janë gjetur mbetjet mortore të 10 viktimave që ishin në listën e personave të zhdukur.
Sot në Grabanicë e Jashanicë të Klinës u rivarrosën me nderime mbetjet mortore të tetë personave të gjetur së fundmi në Bishtazhin të Gjakovës.
Familjarët ndër dhimbje e emocione flasin për më të dashurit e tyre për fatin e të cilëve nuk kishin dijeni që nga koha e zhdukjes së tyre me forcë nga kriminelët serbë.
Pasi i kemi gjetur eshtrat është një lehtësim, të paktën ta dimë varrin dhe ku po e lëmë, thotë familjari i Sheremet Ismajlit, njërit ndër martirët që u rivarrosën sot në Grabanicë të Klinës,
Shaban Ismajli, djali i axhës së martirit Sheremet Ismajli thotë se gjithmonë kanë qëndruar me shpresë se një ditë do të dihet për fatin e familjarit të tyre.
Ai shprehet se ndihet i lehtësuar pasi tashmë e di varrin e Sheremetit, i cili ishte rreth moshës 40-vjeç kur u zhduk me dhunë nga forcat kriminale serbe, për të mos u gjetur deri më tash.
Ismajli tha se nuk duhet harruar gjaku që është derdhur për lirinë e Kosovës dhe se duhet vazhduar përpara deri në gjetjen e të gjithë personave të zhdukur.