Një pallat banimi në qytetin e Hagës, në Holandë, është shembur dje pas një shpërthimi të fortë në ndërtesë.
Një operacion i gjerë ka nisur për të shpëtuar banorët nga godina dhe për të shuar zjarrin që u shkaktua nga shpërthimi.
Gjatë ditës së djeshme dhe të natës, shërbimi i shpëtimit ka kërkuar njerëz nën rrënoja. Të dielën në mëngjes, pesë persona janë konfirmuar të vdekur, raporton De Telegraaf.
Katër persona janë dërguar me urgjencë në spital pas ngjarjes. Ata janë ende duke u trajtuar, dy prej tyre me lëndime të rënda.
Saktësisht sa persona mund të jenë në rrënoja është ende e paqartë. Dje, shërbimet e urgjencës thanë se deri në 20 persona besohet të kenë qenë në shtëpi në atë moment.
Shkaku i shpërthimit është ende i paqartë.
Policia është interesuar për një makinë që mësohet se ka lëvizur me shpejtësi të madhe nga vendi i ngjarjes dhe tani kërkon ndihmë nga dëshmitarët./rtk