Regjistri me të dhënat e 471 kandidatëve të cilët kishin aplikuar për t’u rekrutuar për pozitat si manipulues të shiritave transportues në KEK, ka kaluar edhe njëherë verifikimin e diplomave tek të gjitha institucionet arsimore që i kishin lëshuar ato.
Kjo për faktin se në Departamentin e Burimeve Njerëzore të KEK-ut u kishte shkuar informata se në mesin e kandidatëve kishte edhe të atillë që kishin diploma të falsifikuara.
Nga ky verifikim, kanë dalë dyshime për një numër të caktuar kandidatësh që nuk i kanë diplomat në rregull. Si rezultat, të gjithë kandidatët, diplomat e të cilëve kanë shkaktuar dyshime, janë larguar menjëherë nga procesi i rekrutimit.
Për më tepër, siç bëhet e ditur në sqarimin e KEK-ut për media rreth këtij rasti, Zyra Ligjore ka përgatitur dosjen të cilën tashmë e ka dorëzuar tek institucionet relevante të drejtësisë, të cilët janë kompetentë për trajtimin e rasteve të kësaj natyre.