Nga Daniel Johnson
Lufta kundër Iranit, e nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli dy javë më parë, ka rindezur përplasjen e qytetërimeve që ka qenë në vlim që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Megjithë përpjekjet e regjimit iranian për të mobilizuar botën myslimane kundër Perëndimit, konflikti deri tani ka mbetur relativisht i kufizuar. Sulmet sporadike me dronë dhe raketa ndaj vendeve të Gjirit, Arabisë Saudite dhe Jordanisë nuk kanë arritur t’i shtyjnë këto shtete të distancohen nga SHBA-ja.
Megjithatë, një nga pasojat më të rëndësishme të kësaj lufte po shfaqet larg fushëbetejës: thellimi i përçarjes midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Në të dy anët e Atlantikut po bëhet gjithnjë e më e qartë se as evropianët dhe as amerikanët nuk ndihen më të detyruar të mbështesin njëri-tjetrin apo të marrin parasysh interesat e përbashkëta.
Pasojat e një përshkallëzimi të konfliktit me Iranin mund të kenë një efekt thellësisht destabilizues për Evropën — ndoshta edhe më të madh se Pranvera Arabe, ngritja e ISIS-it apo lufta në Gaza. Mbetet e paqartë nëse Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu e kuptojnë këtë rrezik, apo nëse kjo perspektivë i shqetëson realisht.
Ndërsa Trump ndërpreu ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën, duke i lënë evropianët të përballen pothuajse të vetëm me mbështetjen e Volodymyr Zelensky-t përballë kërcënimit rus, ai njëkohësisht ka hapur një front të ri lufte pa u konsultuar me aleatët dhe pa marrë parasysh pasojat ekonomike që mund të sjellë një ndërprerje e zgjatur e furnizimeve globale me naftë.
Mesazhi sfidues i së enjtes nga udhëheqësi i ri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, e bën të qartë se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit vazhdon të shihet nga regjimi si një nga strategjitë kryesore të mbijetesës.
Ndërkohë, mburrja e Trumpit se SHBA-ja — si prodhuesi më i madh i naftës në botë — do të përfitojë nga rritja e çmimeve të energjisë nuk ka gjasa të qetësojë udhëheqësit evropianë, të cilët tashmë përballen me presionin politik të inflacionit të lartë. Po aq pak do të qetësohen edhe konsumatorët amerikanë, të cilët po përballen me rritjen e çmimeve të benzinës ndërsa zgjedhjet e mesit të mandatit afrohen.
Në një tubim të MAGA-s në Kentucky javën e kaluar, Trump tha me krenari se kishte zgjedhur vetë emrin për “ekskursionin e tij të vogël” në Iran: Operacioni “Tërbimi Epik”.
Por, sipas Bill Kristol, një prej kritikëve më të njohur konservatorë të presidentit, ky është “një emër qesharak dhe i sikletshëm”. Ndryshe nga Lufta dhjetëvjeçare e Trojës, që frymëzoi Iliadën e Homerit, ky konflikt — sipas vetë Trumpit — është fituar pas vetëm dy javësh. Vështirë se një fitore e tillë mund të quhet epike.
Sa për “tërbimin”, në mitologjinë greke Furiet (ose Erinjet) ishin hyjni që ndëshkonin ata që kryenin krime të rënda apo tradhtonin betimet e tyre. Në këtë kuptim, “tërbimi epik” mund të shihet si një hakmarrje ndaj Ajatollah Khameneit dhe rrethit të tij. Por në kuptimin politik, “tërbimi” nënkupton një zemërim irracional — të kundërtën e përdorimit të matur dhe proporcional të forcës që kërkon një luftë e drejtë.
Prandaj, në të dyja anët e Atlantikut, gjithnjë e më shumë njerëz po bëjnë të njëjtën pyetje: pasi ka nisur këtë “Tërbim Epik”, a ka Trump ndonjë ide se si do ta përfundojë këtë luftë?


























