Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, ka reaguar pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke theksuar se rezultatet e tyre duhet të shënojnë fundin e bllokadës politike në vend.
Sipas Terras, kriza politike i ka kushtuar Kosovës miliona euro në financime nga Bashkimi Evropian, ndërsa tani ekziston një mundësi e re për stabilitet institucional.
Ai ka theksuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë një mandat të qartë nga qytetarët dhe tashmë bart përgjegjësinë për të udhëhequr vendin me një qasje më pragmatike në qeverisje.
“Rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë duhet më në fund t’i japin fund bllokadës politike, e cila i ka kushtuar vendit miliona euro nga financimet e BE-së. Kryeministri Albin Kurti tani ka një mandat të qartë dhe përgjegjësi për të qeverisur në mënyrë më pragmatike”, ka shkruar Terras në rrjetin social X.


























