Ish-kreu i UÇK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nisur me fjalën e tij përfundimtare në procesin gjyqësor kundër tij dhe tre krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Ai e nisi fjalimin e tij duke uruar qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë, teksa u kthye prapa në kujtimet e tij në momentin e shpalljes së pavarësisë nga ana e tij.
Në fjalën përmbyllëse në Dhomat e Specializuara në Hagë ai është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për krime kundër luftës dhe njerëzimit.
Thaçi theksoi se akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj tij, janë të pavërteta, derisa tha se në kohën që iu bashkua luftës në Kosovë, ka qenë student në Zvicër.
“Për gati tri vjet në këtë sallë ju keni dëgjuar akuzat e prokurorisë. Ju keni dëgjuar edhe të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë. Unë jam plotësisht i pafajshëm. E kam thënë dhe e them sërish me bindje të plotë, unë bashkëndjej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, tha ai.
“Dje në Kosovë u shënua 18-vjetori i Pavarësisë. Nga kjo sallë dëshiroj të përcjell urimin tim për këtë përvjetor të rëndësishëm”, tha Thaçi.
Ai ka përmendur se në fillimin e vitit 1998, atëherë kur ndodhën masakrat në Likoshan, Prekaz e Qirez, ai ka qenë student në Universitetin e Cyrihut dhe nuk ka pasur plane për marrje kontrolli në Kosovë, por përgatitej për studime.
“I vetmi njeri që bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviqi. Plane për një gjenocid tjetër, të ri në Kosovë. Prandaj si shumë qytetarë të tjerë kosovarë, edhe unë më herët u detyrova ta lëshoj Kosovën sepse regjimi i Millosheviqit më kishte ndjekur. Ai më kishte dënuar në mungesë me akuzën se kisha shkelur ligjet e tij diskriminuese. Më vonë po i njëjti regjim do të dënonte edhe presidentin Clinton, sekretarin Albright, kryeministrin Bler, kancelarin Shreder, presidentin Shirak, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Solona dhe të tjerë. Dënime në mungesë”, theksoi ai.
Thaçi tha se me rastin e kthimit në tij në Kosovë, ai bëri atë që do ta bënte çdo njeri që populli dhe familja e tij të përballej me një gjenocid të tillë. Ai tha se ndjehet krenar me atë çfarë ka bërë me UÇK-në.
“Duke i parë masakrat ndaj popullit tim, unë si shumë të tjerë, nuk mund të qëndroja indiferent. Vendosa të kthehesha në Kosovë në pranverë të vitit 1998. Ky ishte vendim krejtësisht personal i imi, i askujt tjetër sepse nuk mund të qëndroja anash ndërsa familja dhe populli im përballej me shfarosje. Bëra atë që do ta bënit secili prej jush nëse vendi juaj, populli juaj do të përjetonte atë që përjetoi populli im. Për këtë jam shumë krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë”, theksoi Thaçi.
Thaçi theksoi se pa intervenimin e NATO-s nuk do të kishte as liri e pavarësi në Kosovë. Ai tha se pavarësia s’ka qenë mjet për marrje pushteti, por për dinjitet.
“Kjo prokurori më thuri shumë lavde e më ndau shumë tituj e grada. Por e vërteta është krejt tjetër. Unë nuk isha ai që transportova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë, unë iu bashkova rezistencës në Kosovë. Nuk ishte kthimi im nga Perëndimi, arsyeja pse UÇK po masivizohej, arsyeja ishte Sllobodan Millosheviqi”, deklaroi ish-presidenti i Kosovës.
Thaçi citoi sekretarin e Shtetit Madeliene Albright, duke thënë se: ‘Millosheviqi me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës është rekrutuesi më i madh i UÇK-së’.
Ai tutje tha se suksesi më i madh i Kosovës ishte bashkëpunimi me Perëndimin.
“Ata na ndihmuan pikërisht sepse e dinin se kush ishim dhe çfarë qëllimi kishim. Unë me asnjë çmim, në asnjë rrethanë nuk do të rrezikoja këtë aleancë me asgjë në këtë botë sepse ashtu do të rrezikoja vet lirinë e Kosovës, ekzistencën kolektive”, tha ai.


























