Sulmuesi kosovar i Mallorcas, Vedat Muriqi, është vlerësuar nga mediumi prestigjioz britanik “The Guardian” si një nga lojtarët më të rëndësishëm të sezonit në La Liga.
Mediumi i madh anglez e përshkruan momentin emocionues kur Muriqi shpërtheu në lot pas golit të fitores 2-1 ndaj Real Madrid, një gol që shpëtoi Mallorcan nga zona e rënies dhe i solli një triumf historik në shtëpi.
“Ka argumente që ai është futbollisti më i rëndësishëm i La Ligas, madje edhe lojtari i vitit, jo vetëm një hero në ishull, por një hero i plotë”, shkruan “The Guardian”.
Ky ishte goli i 19-të i Muriqit këtë sezon, duke e afruar vetëm një gol larg rekordit të Samuel Eto’o për më shumë gola të shënuar me fanellën e Mallorcas në një sezon të vetëm.
Momenti i shpërthimit emocional të Muriqit pas ndeshjes, sipas mediumit, tregon përkushtimin dhe pasionin e tij, duke kaluar edhe dhimbjen e humbjes së play-off-it të Kosovës për Botërorin.
Muriqi, përveç rolit si sulmues i jashtëzakonshëm, është bërë simbol i rezistencës dhe profesionalizmit, duke treguar se një lojtar i vetëm mund të ndryshojë fatin e një sezoni në La Liga./rtk


























