Në vitin 2021, 10 vite pas ngjarjes së rëndë, kryeministri Edi Rama i shpalli “Dëshmorë të Atdheut” katër protestuesit e vrarë.
“‘Drejtësia vonon po nuk harron’, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 Janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë,” shkroi z. Rama në rrjetet sociale me rastin e 14-vjetorit të ngjarjes.
Në vitin 2023, ish-kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Tiranës që dosja e vrasjes së Aleks Nikës t’i kalojë SPAK-ut.
Vendimi i Strasburgut dhe nisja e hetimeve nga SPAK
Ishte vendimi i Gjykatës së Strasburgut në mars të 2024-ës që e cilësoi 21 Janarin si krim shtetëror dhe që të hetohej si e tillë nga drejtësia shqiptare, duke i hapur kështu rrugë hetimeve nga ana e SPAK e cila ngriti 3 vepra penale: shpërdorim i detyrës, “vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre.
Një sërë zyrtarësh e ish-zyrtarësh janë marrë në pyetje nga SPAK për të zbardhur rolin e tyre gjatë protestës së 21 Janarit të 2011-ës, sikurse ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, zëvendësi i tij Agron Kuliçaj, deputeti i PS, Xhemal Qefalia, ish-ministri Saimir Tahiri, Ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-deputeti socialist Arben Çuko.
Por tashmë pritet që Prokuroria e Posaçme të zbardhë ndër të tjera edhe rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha (sot lider i demokratëve), ish-ministrit të brendshëm Lulzim Basha, ish-kreut të Gardës Ndrea Prendit e gardistëve të tjerë.
Nisja e hetimeve paraprake
Kujtojmë se fillimisht drejtësia shqiptare vendosi 4 vite burg për katër jetët e ndërprera në mes në demonstratën e 21 janarit. Hetimi i ngjarjes çoi si të pandehur dy gardistë për vrasjen e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, por la pa autor vrasjen e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës.
Gjykimi i dy ish-gardistëve, Agim Llupo dhe Ndrea Prendi nisi në maj 2012.
Në prag të mbylljes së gjyqit prokurorët kërkuan 23 vjet burg për Prendin dhe 25 vite për Llupon. Argumentet e prokurorisë nuk bindën gjykatën. Në shkurt 2013 tre gjyqtarë të kryeqytetit zhveshën të pandehurit Ndreu e Llupo nga akuza e “vrasjes” dhe i shpallën të pafajshëm.
Verdikti i pafajësisë nxori nga qelia Llupon, i cili u gjykua në masën “arrest në burg”.
Për vrasjen e Aleks Nikës, hetimi nuk zbuloi asnjë autor të dyshuar. Predha që i mori jetën ishte dëmtuar aq shumë, sa arma e krimit s’mund të identifikohej.
Pas shtatë muajsh, tre gjyqtarët e Apelit prishën vendimin e Shkallës së Parë, duke ndryshuar kualifikimin e veprës penale që u rëndonte të akuzuarve.
Nga akuza për “vrasje me dashje”, Ndrea Prendi u fajësua për “vrasje nga pakujdesia” të Faik Myrtajt dhe u dënua me 1 vit burg.
Për Agim Llupon Apeli dha 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” të Ziver Veizit. Pas mbetjes pa autor të vrasjes së Aleks Nikës, Apeli i Tiranës la pa autor edhe vrasjen e Hekuran Dedës.
Procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve për vrasjet e 21 janarit i vuri kapak Gjykata e Lartë në prill 2016. Pas 4 vitesh “pezull”, Kolegji Penal vendosi të mos pranojë rekursin e bërë nga prokuroria kundër vendimit të Apelit.
Familjarët e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës iu drejtuan gjykatës me padi civile për dëmshpërblim financiar nga Garda dhe Ministria e Brendshme. Çështja u dërgua edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Çështja u zgjidh me pajtim mes paditësve dhe qeverisë shqiptare në prill të vitit 2017.
Qeveria i akordoi një fond 160 milionë lekë shtesë Ministrisë së Brendshme, për të dëmshpërblyer familjarët e viktimave.
Nga ana tjetër, familja Nika kishin vijuar procesin ligjorë duke kërkuar hetim të veçuar për vrasjen e Aleks Nikës.
Në vitin 2020, Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet edhe vrasjen e Aleks Nikës që kishte mbetur pa autorë për t’i rihapur sërish në 2021 por deri me tani asgjë e re nuk doli nga këto hetime.
Familja e Aleks Nikës ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje ti kaloj për hetim SPAK por ky i fundit nuk pranonte te hetonte një çështje e cila po hetohej njëkohësisht edhe nga Prokuroria e Tiranës.
Në 14 nëntorit 2023, Gjykata e Strasburgut vendosi që për çështjen e Aleks Nikës t’i hapë rrugë hetimit të munguar. Me anë të këtij vendim familja Nika ju drejtua Gjykatës së Lartë.
U desh një vit që Gjykatën e lartë të dilte më një vendim ku urdhëroi SPAK të regjistroi kallëzimin e familjes Nika dhe të hetoj 21 Janarin.
Vrasja e Aleks Nikës dhe ngjarja e 21 Janarit do të hetohet nga SPAK.
Çfarë ndodhi më 21 janar 2011
Me qindra qytetarë u ngritën në protestë më 21 janar 2021 para kryeministrisë me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta pas fillimit të tubimit, nisën të hidhen gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit.
Situata u tensionua më tej me tentativën e disa protestuesve për të hyrë në oborrin e kryeministrisë. Ajo që pasoi ishin të shtënat e armëve brenda territorit të kryeministrisë, që lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.
Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës u dërgua për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh, shkruan RTSH.Kryeministri Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti kishte vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe vendosi në krye të akuzës si urdhërues të vrasjeve kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha.