Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, është duke u përballur me dyshime për të ardhmen e tij, pas një serie rezultatesh zhgënjyese duke rënë në vendin e gjashtë në tabelën e Premier Ligës, jashtë zonës që garanton kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Chelsea nuk mori më shumë së një barazim 2-2 në ndeshjen e fundit ndaj Ipswich në ‘Stamford Bridge’, rezultat ky që u shoqërua me fishkëllima dhe pakënaqësi nga tifozët, si ndaj lojtarëve e poashtu edhe ndaj trajnerit.
Megjithatë, sipas ‘The Sun’, drejtuesit e klubit londinez mbeten të bindur se Maresca është ende njeriu i duhur për të udhëhequr projektin e tyre.
“Gjithkush në klub është plotësisht i përkushtuar për ta kthyer Chelsean në Ligën e Kampionëve. Enzo, bordi dhe drejtuesit sportivë janë të bashkuar në këtë objektiv. Për momentin, Enzo shihet ende personi i duhur për të çuar përpara këtë ekip”, thotë një burim brenda klubit londinez.
























