Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, përmes Programit për Siguri, ka përfunduar me sukses një seri trajnimesh të specializuara dhe të dizajnuara posaçërisht për zyrtarët e policisë kufitare.
Siç u bë e ditur nga Policia e Kosovës trajnimet e zhvilluara janë realizuar me qëllim të ngritjes së mëtejme të nivelit të policisë në identifikimin e armëve të konvertuara dhe pjesëve të tyre po ashtu edhe për të njohur në detaje komponentët e ndryshëm të armëve, duke rritur kështu kapacitetin identifikues dhe gjurmimin e këtyre armëve si aspekt kyç për luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve dhe sigurinë e kufijve.
Sipas njoftimit, gjatë trajnimeve teknike një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe kuptimit të kornizës ligjore për kontrollin e armëve të vogla dhe armëve të lehta e cila përfshinë ligjet dhe rregulloret vendore dhe ndërkombëtare që lidhen me kontrollin e armëve, duke ndihmuar policinë kufitare të zbatojë në mënyrë efektive këto rregullore gjatë detyrave të tyre të përditshme.
Këto trajnime thuhet tutje, janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të forcuar sigurinë dhe rendin publik në Republikën e Kosovës.
Ata kanë shprehur mirënjohje dhe falënderime ndaj shteteve që kanë mundësuar realizimin e këtyre sesioneve për avancimin e kapaciteteve.