Ndonëse që nga 1 shtatori i këtij viti është hapur afati për aplikim të certifikimit dhe dorëzimit të listës së subjekteve politike me emrat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka pranuar asnjë aplikim.
Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai tha se deri më 11 dhjetor të këtij viti të gjitha subjektet politike duhet të dorëzojnë në KQZ, aplikimin e tyre për certifikim dhe listën me emrat e kandidatëve për deputetë.
“Deri më 11 dhjetor të këtij viti, të gjitha subjektet politike pra në këtë rast partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur duhet të dorëzojnë në KQZ aplikimin e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre të kandidatëve për deputetë. Kjo periudhë ka filluar me datë 1 shtator dhe mund të konfirmoj se deri më tani nuk kemi ndonjë aplikim nga ana e ndonjë subjekti politik”, tha Elezi.
Lidhur me këtë, KosovaPress ka provuar që të marrë përgjigje se kur pritet që subjektet politike të kryejnë këto lloje të “obligimeve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare”.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një përgjigje me shkrim thonë se lista do të dorëzohet brenda afatit të KQZ-së, porse nuk bënë të ditur ndonjë datë specifike.
E pavarësisht interesimit, deri në publikim e këtij artikulli, KosovaPress nuk pranoi përgjigje nga partitë e tjera politike lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë, Elezi potencoi se pas pranimit të aplikimeve, të gjithë personat që duan të certifikohen si kandidatë për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit të institucioneve të ndryshme.
Ai tha se ky është një detyrim ligjor, me qëllim që të vërtetohet nëse kandidatët që garojnë për deputetë janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Në mesin e institucioneve që KQZ-ja, do të kërkojë verifikim të kandidatëve është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK).
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme në Republikën e Kosovës theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse ‘është dënuar në 3 vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv’.
Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij kufizimi ligjor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kërkojë nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, potencoi Elezi.
Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet i cili ka funksion të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për zyrtarët publikë si anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik, kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, zyrtar i PZAP-së, me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat, është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv, ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it.