Ekaterina Trendafilovës i është zgjatur mandati i kryetares të Dhomave të Specializuara të Kosovës edhe për katër vjet të tjera.
Në njoftimin e lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës thuhet se autoriteti emërues, gjeneral Giovanni Barbano, e riemëroi gjykatësen Ekaterina Trendafilova si kryetare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) për një mandat katërvjeçar, duke filluar nga data 16 dhjetor 2024.
Mandati aktual i Trendafilovës përfundon më 15 dhjetor 2024.
Trendafilova u shpreh se “e vlerëson besimin që po i jepet përsëri” dhe se “ka besim se DHSK-ja do të vijojë t’i kryejë proceset gjyqësore në mënyrë të shpejtë, të drejtë dhe efikase, siç përcaktohet në kornizën ligjore të Gjykatës”.
Ajo u shprehu mirënjohjen e saj të sinqertë gjykatësve të DHSK-së, Administratores dhe gjithë personelit të Gjykatës, që punojnë në mënyrë të palodhur për të përmbushur mandatin e DHSK-së me profesionalizëm dhe përkushtim të palëkundur.