“Tribunali i Gazës” bëri thirrje për një ndërhyrje urgjente të armatosur ndërkombëtare për të ndaluar atë që e përshkroi si “faza më vdekjeprurëse e gjenocidit” të Izraelit në Gaza, duke paralajmëruar se dështimi për të vepruar do të shënonte “një dështim historik të njerëzimit”.
Në një konferencë për media të mbajtur në Stamboll, kreu i gjykatës së pavarur, Richard Falk, profesor emeritus i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Princetonit në ShBA dhe ish-raportuesi special i OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret palestineze (2008–2014), u bëri thirrje qeverive ta anashkalojnë Këshillin e Sigurimit dhe t’i japin fuqi Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për ta autorizuar ndërhyrjen e armatosur.
“Nëse nuk ndërmarrim veprime serioze dhe drastike në këtë kohë, çdo gjë që bëhet në një mënyrë më të moderuar do të jetë tepër vonë, tepër vonë për të shpëtuar njerëzit që mbijetuan dhe që janë traumatizuar tashmë nga më shumë se 22 muaj gjenocidi”, tha Falk.
“Sytë dhe veshët e botës janë ekspozuar, si kurrë më parë, përfshirë Holokaustin, ndaj transparencës së gjenocidit të kryer në kohë reale. Kjo sfidon njerëzimin tonë”, shtoi ai.
Falk kritikoi demokracitë perëndimore për atë që ai e quajti “sjellje bashkëfajtore”, ndërsa vuri në dukje ndryshimet në opinionin publik.
“Po përpiqemi t’i drejtohemi ndërgjegjes së të gjithë njerëzve dhe ta inkurajojmë llojin e aktivizmit që do të sjellë ndryshime në qeveri në të ardhmen, veçanërisht një embargo armësh dhe forma të ndryshme sanksionesh… duke përfshirë llojin e solidaritetit me luftën palestineze që rezultoi kaq efektiv në fushatën kundër aparteidit”, tha ai.
“Jo vetëm për Gazën, por për mirëqenien e botës”
E dorëzuar tek Anadolu, deklarata e jashtëzakonshme e gjykatës, e titulluar “Koha për të VEPRUAR: Mobilizim Kundër Pushtimit të Planifikuar të Izraelit në Qytetin e Gazës dhe Gazën Qendrore”, nxori në pah vendimin e Kabinetit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit më 7 gusht, të cilin Falk tha se ishte “kundërshtuar nga komanda e lartë ushtarake e Izraelit”, për të vazhduar me pushtimin e Qytetit të Gazës, ku po strehohen gati 1 milion palestinezë të zhvendosur.
“Përshkallëzimi i afërt i sfidon thellësisht qeveritë anëtare të OKB-së… që të ndërmarrin veprime drastike tani”, theksoi Falk, duke përmendur rrugë ligjore si Rezoluta e vitit 1950 “Bashkimi për Paqe” dhe korniza e Përgjegjësisë për të Mbrojtur e miratuar në samitin e OKB-së në vitin 2005.
Duke cituar thirrjen e të dërguarit palestinez në OKB, Riyad Mansour, për forca mbrojtëse të menjëhershme, gjykata theksoi: “Ne, si Tribunal i Gazës, bashkohemi me ata që e trajtojnë heshtjen përballë gjenocidit si bashkëfajësi”./trt


























