Presidenti amerikan, Donald Trump tha se kishte urdhëruar një rritje shtesë të tarifave për Zvicrën prej nëntë për qind, sepse nuk i pëlqente “mënyra se si një lidere zvicerane i ishte drejtuar” ndërsa e ftonte që të hiqte tarifën.
Trump në një intervistë për Fox Business tha se toni i Karin Keller-Sutter, anëtare e Këshillit Federal të Zvicrës, të cilën ai gabimisht e quajti kryeministre, e konsideroi “përsëritës” dhe “agresiv”.
“Kam vendosur tarifa prej 30 për qind, që është shumë e ulët. Pastaj mora një thirrje urgjente nga, besoj, kryeministrja e Zvicrës, dhe ajo ishte shumë agresive, por e sjellshme, por edhe shumë agresive. Ajo tha: ‘Zoti, ne jemi një vend i vogël. Nuk mund ta bëjmë këtë. Nuk mund ta bëjmë këtë.’ Nuk mund ta hiqja nga telefoni”, tha ai.
Ai thekson se Keller-Sutter vazhdimisht përsëriste se Zvicra është një vend i vogël, gjë që, sipas tij, e nervozoi edhe më shumë.
“Nuk mund ta hiqja nga telefoni, kështu që ishte 30 për qind. Dhe nuk më pëlqeu shumë mënyra se si foli me ne, kështu që në vend që të zvogëloja, e rrita në 39 për qind”, tha 79-vjeçari.
Komentet e ngjashme Trump i bëri disa javë më parë në Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku tregoi se nuk e dinte nëse Zvicra ka kryeministër apo president.
“Supozova se kryeministrja, nuk e di, presidenti, kryeministrja e kishte thirrur, një grua. Dhe ajo ishte shumë përsëritëse. Tha: ‘Jo, jo, jo, nuk mund ta bëni këtë, 30 për qind. Ne jemi një vend i vogël, i vogël.’ Por unë thashë: ‘Mbase jeni të vegjël, por keni një deficit të madh’”, theksoi lideri amerikan.
Zvicra nuk ka kryeministër apo president ekzekutiv. Në vend të kësaj, vendi udhëhiqet kolektivisht nga Këshilli Federal me shtatë anëtarë. Megjithatë, negociatorët amerikanë dhe zviceranë arritën në nëntor një marrëveshje paraprake për të ulur tarifën në 15 për qind, dhe industria zvicerane u zotua të investojë 200 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara deri në fund të vitit 2028.


























