Ministria e Punëve të Jashtme të Türkiyes njoftoi se evakuimi i shtetasve turq, të cilët kanë aplikuar për t’u larguar nga Libani, do të bëhet të mërkurën nga deti, raporton Anadolu.
Në një deklaratë, MPJ-ja turke tha se dy anije të marinës turke me një kapacitet total prej 2.000 pasagjerësh pritet sot të lundrojnë drejt Bejrutit.
“Detajet e procesit të evakuimit do t’u komunikohen shtetasve tanë që kanë kontaktuar Qendrën e Thirrjeve të Konsullatës”, thuhet në njoftim, duke shtuar se nëse do të paraqitet nevoja, evakuimi do të vazhdojë në ditët në vijim.
“Përgatitjet për të plotësuar nevojat e qytetarëve tanë pas mbërritjes së tyre në Türkiye kanë përfunduar”, tha ministria, duke shtuar se me anijet e evakuimit gjithashtu do të dërgohet ndihma humanitare e Türkiyes në Liban.
Izraeli ka kryer sulme masive ajrore në të gjithë Libanin duke pretenduar se ka goditur objektiva të Hezbollahut që nga 23 shtatori, duke vrarë më shumë se 1.250 njerëz dhe duke plagosur 3.618 të tjerë, si dhe duke zhvendosur më shumë se 1,2 milion njerëz.
Fushata ajrore ishte një përshkallëzim i luftës ndërkufitare njëvjeçare midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës ku janë vrarë rreth 42.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se rajoni i Lindjes së Mesme është në prag të një lufte rajonale mes sulmeve të pamëshirshme të Izraelit në Gaza dhe Liban, Tel Avivi e zgjeroi konfliktin duke nisur një pushtim tokësor në Libanin jugor më 1 tetor.