Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili njoftoi që pasi shfuqizuan vendimin për këmbimin e pronave në Badoc, kanë bërë shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë.
Pas këtij votimi, Ismaili theksoi që i ka dërguar shkresë zyrtare, Përparim Ramës për shkëputjen e koalicionit. Ai tregoi që të gjithë drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre.
“Për dy vjet shërbim, ekipi i PDK-së solli një dinamikë të re në Kryeqytet dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në secilin dikaster. Nën udhëheqjen e shkëlqyer të Nënkryetares Sahatçiu, drejtoritë e udhëhequra nga PDK janë vlerësuar si drejtoritë me performancën më të mirë, brenda dhe jashtë. Gjallërinë, sinqeritetin, pozitivitetin dhe dinamikën që e kishim në fushatën tonë “Prishtina na Bashkon” e kemi përçuar edhe në qeverisjen e Kryeqytetit dhe qytetarët janë dëshmitarët më të mirë për këtë gjë.”shkroi Ismaili në Facebook.