Njësia manovruese e Komandës Rajonale Lindje të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, ka zhvilluar një ushtrim shumëkombësh për kontrollin e turmave dhe trazirave (CRC) në Kampin “Novo Selo” në Kosovë.
Në këtë stërvitje, kontingjenti polak demonstroi aftësitë e tij në thyerjen e pengesave, funksionimin nën presion, mbështetjen e procedurave për shpërthime të rrezikshme (EOD) dhe ofrimin e ndihmës për të plagosurit. Ekipet amerikane asistuan në aktivitetet EOD, ndërsa ushtarët nga Letonia ofruan mbulim me dronë, duke treguar një nivel të lartë bashkërendimi dhe ndërveprimi mes njësive shumëkombëshe të KFOR-it.
Sipas misionit, ushtrime të tilla forcojnë kohezionin, ndërveprimin dhe besimin e ndërsjellë — elemente thelbësore për ruajtjen e gatishmërisë dhe efektivitetit në mjedise të ndërlikuara sigurie.
KFOR thekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Misioni zhvillon punën e tij në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).


























