Mot shumë i nxehtë do të mbretëroj të enjtën, me temperatura maksimale deri në 37C e 39C. Paradite do të ketë intervale me diell. Pasdite, me zhvillime të vranësirave, vende-vende paraqiten kushte për ndonjë rrebesh shiu e bubullima. Frynë erëra të lehta dhe mesatare kryesisht nga jugu e jugperëndimi 3-6m/s, njofton Prishtina Weather.
Nga dita e premte fillojnë të shfaqen kushte më jostabile, me zhvillime më të përhapura të rrebesheve dhe bubullimave. Vala e të nxehtit vazhdon deri ditën e shtunë, me temperatura deri në 35C e 37C.
Në fundjavë do të kemi më shumë mundësi për rrebeshe shiu dhe bubullima. Temperaturat nga dita e diel zbresin në 30C e 32C, duke shënuar fundin e valës së të nxehtit. Të hënën më freskët, me të reshura shiu.
Koncentrimet e ozonit sipërfaqësor do të mbesin në vlera të larta ditëve vijuese, duke çuar indeksin e cilësisë së ajrit në vlera të dobëta, apo në nivel më të larta të ndotjes, kryesisht gjatë ditës, ngase ky ndotës ajror formohet më shumë në ditë shumë të nxehta, kryesisht me diell.