Mijëra qytetarë dhe studentë kanë dalë mbrëmë në rrugët e qyteteve të ndryshme në Serbi për të përkujtuar 11 muaj nga tragjedia në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona pas shembjes së një strehëze.
Në Beograd, protestuesit u mblodhën për një tubim komemorativ pranë stacionit hekurudhor Prokop, prej nga marshuan në heshtje drejt stacionit Novi Beograd. Ngjarja u zhvillua pa incidente, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi institucionale.
“Shoqëria dhe shteti mund të përmirësohen. Por, që kjo të ndodhë, është e domosdoshme që të ketë përgjegjësi. Kërkojmë drejtësi për viktimat,” u shprehën përfaqësuesit e studentëve gjatë fjalimeve të mbajtura para qytetarëve të mbledhur.
Marshi kaloi edhe pranë zyrave të Partisë Progresive Serbe (SNS), ku në të kaluarën kanë ndodhur përplasje, por kësaj here kolona kaloi në heshtje. Përballë objektit ndodheshin forca të shumta policore të pajisura me mjete për shpërndarjen e protestave.
Studentët përsëritën thirrjen për hetime të plota dhe kërkuan që të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Kujtojmë se më 16 shtator, Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad ka ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës së Serbisë, Goran Vesiq, si dhe ndaj 12 personave të tjerë, në lidhje me shembjen e strehëzës që mori jetën e 16 qytetarëve.


























