Ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) grabitësi i cili u plagos më 17 mars në lagjen Veternik të Prishtinës.
Millosh Vukojeviq nuk ka mundur t’u bëjë ballë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar.
Si kishte ndodhur ngjarja?
Më 17 mars 2025, rreth orës 10:30, ndodhi një grabitje e armatosur në lagjen Veternik të Prishtinës, pranë qendrës tregtare “Albi Mall”.
Objektivi ishte një furgon i kompanisë së sigurimit “Istanbul Ozel Guvenlik”, që transportonte para.
Gjatë kësaj ngjarjeje, pjesëtari i sigurimit, Fahri Ademi, u plagos dhe u dërgua për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Një nga grabitësit, Millosh Vukojeviq nga Leposaviqi, gjithashtu u plagos gjatë përleshjes. Ai kërkoi ndihmë mjekësore në qendrën emergjente në Graçanicë dhe më pas u transferua në QKUK për trajtim të mëtejshëm.
Gjendja e tij ishte e rëndë dhe iu nënshtrua operacionit.
Vukojeviq kishte një histori kriminale; ai ishte arrestuar më parë për kultivim të bimëve narkotike dhe ishte liruar nga burgu rreth 15 ditë para ngjarjes së grabitjes.