Ambasada britanike e ka mirëpritur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që aprovoi ankesën e Listës Serbe dhe e urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta përfshijë në rezultatin përfundimtar, transmeton KosovaPost.
Në reagimin e ambasadës thuhet se ky vendim riafirmon të drejtën e komuniteteve joshumicë të Kosovës, krahas të gjitha subjekteve të tjera politike, për të marrë pjesë plotësisht në procesin demokratik, ashtu siç garantohet nga Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës.
“Ne presim që përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime të jenë në gjendje të marrin detyrën dhe t’u shërbejnë qytetarëve që i kanë zgjedhur”, thuhet në reagim.
“Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë procese zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë. Ne inkurajojmë të gjitha institucionet dhe aktorët politikë që të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të ruajnë integritetin e kornizës zgjedhore. Një proces zgjedhor i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe për forcimin e besimit ndërmjet të gjitha komuniteteve”, përfundon reagimi i ambasadës.
Vendimi për aprovimin e ankesës së Listës Serbe është marrë në seancën e mbajtur sot, ku PZAP ka konstatuar se refuzimi i KQZ-së për publikimin e rezultateve për Listën Serbe ka qenë i pajustifikuar dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.


























