Sot, ministri Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, bashkë me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kanë vendosur gurthemelin e objektit të ri të nënstacionit policor te vendi i njohur si Ura e Bistricës së Leposaviqit.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, ky objekt po ndërtohet për të përmirësuar infrastrukturën e sigurisë dhe kushtet e punës së Policisë së Kosovës.
“Në vazhdën e përmirësimit të infrastrukturës së sigurisë dhe kushteve të punës së Policisë së Kosovës, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, vendosëm sot gurthemelin e objektit të ri të nënstacionit policor te vendi i njohur si Ura e Bistricës së Leposaviqit. Objekti i ri e modern do të jetë në shfrytëzim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët nga ky vend, po shërbejnë prej gati dy vitesh në luftimin e çdo kriminaliteti, mbrojtjen e kufirit tonë e për sigurinë e përgjithshme të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla që ka ndarë edhe fotografi nga kjo ngjarje.
Tutje, ministri ka shkruar se nga një zyre që kanë gjetur në dispozicion të ruajtjes së kufirit me Serbinë, sot janë 9 nënstacione me policë të përkushtuar e në shërbim të Republikës.
“Do të vazhdojmë pa u ndalur në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve tona për të përballur me sukses çdo sfidë që mund të na dalë përpara”, ka shkruar Sveçla.