Një video e publikuar nga mediat franceze ka zbuluar momentet kur disa persona lënë koka derrash përpara xhamive në Paris – një veprim i cilësuar si provokim i rëndë me sfond racist dhe ksenofob. Këto pamje ndihmuan policinë franceze dhe shërbimin serb të sigurisë (BIA) që të arrestojnë 11 shtetas serbë nga Beogradi dhe Velika Plana, të dyshuar për akte vandalizmi dhe diskriminimi në Francë dhe Gjermani.
Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve serbe, personat e arrestuar – F. P., N. Ć., A. S., A. B., Đ. P., S. P., N. Ž., N. D., A. M., N. S., dhe D. M. – dyshohen për përfshirje në një seri krimesh që lidhen me vandalizimin e objekteve fetare dhe kulturore në Paris dhe Berlin, përfshirë Muzeun e Holokaustit, disa sinagoga, xhami dhe një restorant hebre.
Hetimet e policisë franceze zbuluan se në të paktën shtatë raste, kamerat e sigurisë kanë kapur një burrë me kapuç që vepronte gjatë natës, duke lënë koka derrash të mbështjella me celofan dhe fjongo, me një mesazh të bashkangjitur që thoshte “të bëftë mirë”. Të paktën nëntë koka derrash u gjetën përpara xhamive në rajonin e Parisit në fillim të shtatorit.


























