Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook ka treguar se është bërë anëtare e organizatës më të madhe socialdemokrate në Evropë, Partisë së Socialistëve Evropianë (PES), përcjell KosovaPost.
Në njoftimin e VV-së thuhet se PES është forca politike më e madhe e së majtës në Bashkimin Evropian.
“PES është forca politike më e madhe e së majtës në Bashkimin Evropian e cila është e përfaqësuar edhe në Parlamentin Evropian me grupin ‘’Socialistët & Demokratët’’ Sot, në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropianë (PES) – që po mbahet në Malaga të Spanjës për hir të zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit 2024 – me votë të anëtarëve iu dha drita e gjelbërt anëtarësimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë familje politike të rëndësishme. PES është forca politike më e madhe e së majtës në Bashkimin Evropian e cila është e përfaqësuar edhe në Parlamentin Evropian me grupin ‘’Socialistët & Demokratët’’ (S&D)”, thuhet në njoftim.
Tutje, në këtë njoftim thuhet se ky anëtarësim do ta ndihmojë VV-në në realizimin e synimeve.
“Pas fjalës hyrëse së Kryetarit të PES dhe ish-Kryeministrit të Suedisë Stefan Löfven mbi sfidat e Europës, Kryetari Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, iu drejtua delegatëve të partive anëtare me një fjalë përshëndetëse, ku theksohej progresi i përgjithshëm i Kosovës, por edhe kohën e rëndë që përjeton Evropa”.
“Anëtarësimi i Lëvizjes në këtë organizatë është një tjetër përparim në marrëdheniet ndërpartiake e ndërkombëtare, që do ta ndihmojë subjektin tonë në realizimin e synimeve dhe të programit progresist. Ky anëtarësim erdhi si rezultat i punës së bërë ndër vite, konsistencës në parimet socialdemokrate si organizatë dhe me shembull të udhëheqjes socialdemokrate në qeverisje”, thuhet tutje në njoftim.