Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) pretendon se sipas vendimit të Komisionit, hetimit parlamentar për subvencionimin e teksteve shkollore 2023/24 i ka kaluar mandati.
Deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza, në një konferencë për media ka thënë se anëtarët e komisionit e kanë votuar vetë planin e veprimit në të cilin parashihej që intervistimi i dëshmitarëve të kryhej deri më 31 korrik.
“Sipas dinamikës kohore të votuar nga vetë komisioni, u vendos që më 29 korrik të ishte intervistimi i dëshmitarëve”, ka thënë ajo.
Sipas Fejzës, kryesuesi i Komisionit, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, “më 26 korrik u ka dërguar email anëtarëve të komisionit që mbledhja e paraparë më 29 korrik do të zhvendosej më 9 shtator, në sesionin vjeshtor të Kuvendit për shkak se Kuvendi është në pushim, asnjë grup parlamentar nuk është duke mbajtur mbledhje dhe ka mungesë së kuorumit”.
Fejza ka thënë se vendimi është marrë nga vetë Dreshaj, pa miratimin e anëtarëve të komisionit. Sipas deputetes, deputeti i AAK-së e ka marrë këtë vendim në kundërshtim me ligjin për hetimin parlamentar.
Në një reagim para dy ditësh, kryesuesi i Komisionit Hetimor për Subvencionimin e Teksteve Shkollore, Shemsedin Dreshaj, ka akuzuar LVV-në se po tenton të bëjë puç ndaj tij “për të fshehur manipulimet me subvencionimin e teksteve shkollore”.