Me 66 vota për, 32 vota kundër dhe 5 abstenime Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Menjëherë pas votimit të projektligjit të buxhetit në lexim të parë, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka propozuar që shqyrtimi i të njëjtit në lexim të dytë të bëhet me shmangie nga afatet procedurale.
“Amendamentet në projektligj t’i adresohen Komisionit për Buxhet deri me 18 shkurt në ora 16:00. Komisionet parlamentare deri më 19 shkurt në ora 12:00 të shqyrtojnë projektligjin dhe raportet me rekomandime t‘ia paraqesin Komisionit funksional për Buxhet. Komisioni deri më 19 shkurt në ora 24:00 të paraqesë raportin me rekomandime për shqyrtim të dytë në seancën plenare, e shqyrtimi i dytë të bëhet në seancën plenare më 20 shkurt në ora 11:00”, tha Nagavci.
Kundër shmangies nga afatet procedurale për leximin e dytë të Projektligjit për Buxhetin ka dalë LDK-ja.
“Sinqerisht nuk po e kuptojmë çka është kjo nguti. Ju e dëgjuat Hekuran Muratin që tha se ende po punojnë me kontrata të 2020-ës, e janë duke kërkuar të shqyrtojnë buxhetin me procedura të shpejta. Cila është kjo nguti, se nuk po ju kuptojmë. Jemi kundër shmangies”, tha Bajrami.
Në fund deputetët me shumicë votash miratuan këtë propozim të Vetëvendosjes për shmangie nga procedurat.



























