Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka pohuar se ekziston një grup besnikësh apo fraksion lojal brenda partisë së tij. Opozita dhe ekspertët janë të një mendimi se deklarata të tilla janë të rrezikshme dhe dëmtojnë edhe më shumë institucionet tashmë të brishta në Serbi.
A ka Serbia një strukturë të fshehtë që mbron pushtetin e Vuçiqit me çdo kusht? Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pranoi ekzistencën e një grupi “besnikësh” brenda Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të përkushtuar ndaj partisë dhe liderit, të gatshëm, sipas tij, për një luftë ekstreme kundër kundërshtarëve. Pas këtij pranimi zyrtar për një organizatë paralele, institucionet përgjegjëse nuk kanë reaguar, ndërsa opinioni publik e sheh këtë si vazhdimësi të fushatës kunder opozitës, studentëve dhe kritikëve të regjimit, të cilët shpallen armiq. Opozita i bëri thirrje prokurorisë për reagim urgjent.
“Është një deklaratë që, duke pasur parasysh se vjen nga presidenti i shtetit, është bërë me lehtësi në publik. Prandaj, institucionet duhet të reagojnë. Mesazhe të tilla futin frikë te qytetarët, ndërsa në anën tjetër kanë për qëllim të dërgojnë sinjale për anëtarët jobesnike e Partisë Përparimtare. Organizata si ky grup nuk duhet të veprojnë jashtë ligjit”, tha për RTK, Tatjana Bllagojeviq, nënkryetare e Partisë Demokratike.
Duke përshkruar grupin e “besnikëve”, Vuçiq tha se ata përbëhen nga rreth 17 mijë persona, të “betuar me gjak”, të cilët mblidhen “në një kishë të vogël”, duke përfshirë edhe vëllain e tij si pjesë të këtij rrethi. Analistët politikë paralajmërojnë se këto deklarata përforcojnë frikën dhe kërcënimet ndaj atyre që për më shumë se dy muaj protestojnë, duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad.
Sipas analisteve, pranimi i Vuçiqit për ekzistencën e grupit “besnikët” dëshmon se shteti është kthyer në një strukturë hierarkike, ku një grup i vogël njerëzish pranë liderit kontrollojnë vendimet më të rëndësishme.
“Kjo është manifestim i një shteti të shkatërruar. Kemi një president që flet hapur për një grup njerëzish jashtë institucioneve, për betime, madje edhe për gjak. E gjithë kjo shkakton shqetësim, por para së gjithash, dërgon një mesazh për elektoratin dhe strukturën partiake se braktisja e anijes do të ndëshkohet. Kjo nuk është vetëm frikësim, por edhe pranimi se shteti nuk është më në duart e institucioneve, por të një grupi që vepron jashtë ligjit”, theksoi Dragan Popoviq nga Qendra për Politikë Praktike.
Ekspertët dhe opozita vlerësojnë se deklaratat për ekzistencën e “besnikëve” minojnë më tej institucionet tashmë të brishta të Serbisë, duke e afruar shtetin me një model autoritar të qeverisjes ku ku ligji bëhet i parëndësishëm./rtk