Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka ftuar presidentin amerikan Donald Trump që t`a vizitojë Ukrainën përpara çdo marrëveshjeje me Rusinë për përfundimin e luftës.
Në një intervistë për CBS 60 Minutes, ai tha: “Ejani të shihni njerëzit, civilët, luftëtarët, fëmijët e vrarë, spitalet dhe kishat e shkatërruara”.
Intervista u zhvillua përpara sulmit me raketa në qytetin Sumy më 13 prill, ku u vranë 35 civilë dhe u plagosën 117 të tjerë. Rusia pretendon se kishte në shënjestër një mbledhje ushtarake, por nuk ofroi prova.
Trump tha se ishte informuar se sulmi ishte një “gabim”, pa dhënë më shumë detaje. Ndërkohë, Zelensky vazhdon të kritikojë afrimin e Trump-it me Moskën, duke theksuar se Rusia po vazhdon agresionin ndaj civilëve, raporton BBC.
Udhëheqësit evropianë e kanë dënuar ashpër sulmin në Sumy, duke e quajtur një krim lufte.
ancelari në pritje i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha për transmetuesin publik ARD se sulmi përbënte një “krim të rëndë lufte”.
“Ishte një akt perfid… dhe është një krim i rëndë lufte, i qëllimshëm dhe i paramenduar,” tha ai.
Ndërkohë, kancelari në largim Olaf Scholz tha se sulmi tregoi “se sa vlejnë pretendimet e Rusisë për gatishmëri për paqe”.
Presidenti francez Emmanuel Macron akuzoi Rusinë për “përbuzje flagrante ndaj jetëve njerëzore, ligjit ndërkombëtar dhe përpjekjeve diplomatike të Presidentit Trump”.
“Nevojiten masa të forta për të imponuar një armëpushim ndaj Rusisë,” tha ai. “Franca po punon pa pushim drejt këtij qëllimi, së bashku me partnerët e saj.”
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e quajti sulmin “barbar” dhe shtoi: “Rusia ishte dhe mbetet agresori, në shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar.”
“Nevojiten masa të forta për të imponuar një armëpushim. Evropa do të vazhdojë të bashkëpunojë me partnerët dhe të mbajë presion të fortë ndaj Rusisë derisa të ndalet gjakderdhja dhe të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme, në kushte të përcaktuara nga Ukraina.”
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer tha gjithashtu se ishte “i tmerruar nga sulmet e frikshme të Rusisë ndaj civilëve në Sumy”.
OKB-ja gjithashtu u shpreh e “thellësisht e shqetësuar” dhe kërkoi ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj civilëve.
Lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e katërt që nga pushtimi i plotë rus më 2022, dhe miliona ukrainas janë ende refugjatë.