Kërkesën e Serbisë drejtuar KFOR-it, për të siguruar lejen e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore në Kosovë, e quan absurde zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla. Ai thotë se kthimi i ushtrisë serbe në Kosovë është i pamundur dhe shton se kërkesa të tilla janë lojë e presidentit të Serbisë, i cili po krijon tensione. Për situatën e sigurisë në veri të vendit, largimin e pjesëtarëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës, si dhe mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, flet në një intervistë për KosovaPress, numri dy në Ministrinë e Mbrojtjes.
Syla thotë se Serbia po luan me lojëra të luftës hibride duke përhapur gënjeshtra të njëpasnjëshme.
Syla: Kërkesa e presidentit të Serbisë për kthimin e ushtrisë në Kosovë është absurde
“Është një kërkesë absurde por dhe një lojë e Serbisë që di të manovrojë në situata me të cilat ajo po përballet, ka ardhur momenti që të nënshkruhet një marrëveshje e cila sipas të gjitha gjasave nuk është në favor të Serbisë dhe në momentin kur nuk iu konvenon krijon edhe situata të tjera më të cilat ngrit tensione për të krijuar skenare të ndryshme. Mbi të gjitha Serbia po luan me lojëra të luftës hibride duke përhapur gënjeshtra të njëpasnjëshme, njëkohësisht duke ngritur kërkesa të cilat janë absurde”, thotë Syla.
Ai deklaron se një ushtri si ajo e Serbisë, e cila ka kryer gjenocid, nuk mund të kthehet në Kosovë.
Sipas tij, Serbia po mundohet të përfitojë nga tensionet të cilat po i krijon vet, në mënyrë që të krijojë situata të favorshme për të në dialogun me Kosovën.
Syla: Nuk do të lejohet të kthehet në Kosovë një ushtri e cila ka kryer gjenocid
“Tash e 20 vjet është një kaptinë tjetër e historisë për të krijuar situata të tilla për të kërkuar kthimin e një ushtrie e cila u dënua në një kohë, kapitulloi në sajë të dështimit që ka pësuar sepse kishte bërë krime. Një ushtri e cila ka bërë gjenocid nuk do të kthehet më në Kosovë, as nuk do të lejohet të kthehet më në Kosovë, duhet ta kuptojë Serbia se nuk ka vend për ushtrinë serbe në Kosovë, është ushtria e Kosovës këtu, është ushtria e NATO-s, ajo e cila i ka treguar ku e ka vendin dhe duhet ta kuptoje realitetin, sado të jetë i hidhur, pro e dimë se nuk po mundet me kuptu Serbia, po krijon tensione të ndryshme, po tenton me nxjerr nga kjo situatë e tensionuar për të qenë shumë më e favorshme në bisedime por kthimin e ushtrisë serbe për ne është i pamundshëm dhe i papranueshëm, assesi nuk ka mendje që mund ta arsyetojë një veprim të tillë”, thotë Syla.
Zëvendësministri i Mbrojtjes thotë se ushtria e Kosovës po ngritet gradualisht në përputhje me standardet e NATO-s.
Syla: Jemi me fat që e bëjmë sigurinë bashkërisht me NATO-n
“Ushtria është e gatshme, përgatitet kur preket territori, cenohet integriteti dhe sovraniteti nga një fuqi e jashtme dhe ne shpresojmë që ajo ditë nuk do të vjen, por ne jemi me fat sepse bashkërisht me NATO-n e bëjmë sigurinë, NATO ka përgjegjësinë e sigurisë dhe jemi me fat thash që ata e kanë përgjegjësinë por ne gjithnjë jemi mbështetës për çfarëdo qoftë nevoje, ne do t’i përgjigjemi obligimit tonë, betimit tonë me të cilin na kushtëzon kushtetuta në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit”, thotë ai.
Në anën tjetër, Syla përgjigjet edhe rreth largimit të ushtarëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Nga 127 pjesëtarët të cilët e kanë braktisur Forcën gjatë vitit të kaluar, tre apo katër prej tyre janë nga komuniteti serbë, konfirmon zëvendësministri i Mbrojtjes.
Syla: Tre apo katër serbë janë larguar nga FSK gjatë vitit 2022
“Tani kanë qenë tre raste apo katër që kanë kërkuar, që janë paraqitur se kanë pasur presion, kanë pasur shantazh që të largohen, ndërsa jo më shumë, edhe ata iu kanë nënshtruar një presioni të tillë dhe bazuar në rrethanat që janë krijuar, atmosferën e krijuar të një kërcënimi dhe atmosfere të zymtë kanë kërkuar që t’i lënë vendet e punës(gjatë vitit 2022)”, thotë zëvendësministri i Mbrojtjes.
Syla thotë se në vazhdimësi ka pasur dalje por sipas tij, viti i fundit është më shqetësues, sa i përket largimit nga të gjitha komunitetet.
Syla: Numri i të larguarve nga FSK gjatë vitit 2022 ka qenë më i madh
“Në vazhdimësi kemi pasur dalje, viti i fundit është më shqetësuar, është më i rritur dhe është shqetësim normal për ne, një pjesëtar me dalë është shqetësim e jo të dalin me dhjetëra, por normal që gjithë ushtritë e botës janë duke u përballuar me këto sfida… Sivjet mbi 100 ka kaluar numri, që është më i ngritur pak a shumë se vitet e tjera, është një trend më i rritur dhe e përmenda edhe njëherë, kjo neve na kushtëzon dhe na obligon të kemi parasysh dhe ne këtë vit do e bëjnë një debat të thellë dhe do të ulemi të shikojmë se si rrjedhin dukuri të tilla për ta kushtëzuar një ushtarak që ta lë ushtrinë”, thotë ai.
Megjithatë, Forca ka hapur dyert për të rinjtë që duan t’i bashkohen ushtrisë së Kosovës.
Deri më 15 janar është i hapur konkursi për ushtarë të rinj prej së cilit do të pranohen mbi 600 rekrutë dhe mbi 300 rezervistë.
Derisa flet për interesimin e të rinjve për t’u bërë pjesë e FSK-së, Syla nuk shprehet i kënaqur me numrin e aplikimeve nga komunitetet jo shumicë.
Sa i përket komunitetit serb, ai thotë se në të kaluarën ka ndikuar shantazhi i bërë nga Beogradi në drejtim të tyre, në mënyrë që të njëjtit të mos shprehin interesim për t’u bërë pjesë e Forcës.
Syla: Fushatat e Serbisë i kanë penguar të rinjtë e komunitetit serb të bëhen pjesë e FSK-së
“Ka ndikuar, rasti i mëparshëm kur ishin ato fushatat serbe që bënin për t’i penguar që përdornin metoda të kërcënimeve, të shantazheve të ndryshme ka ndikuar shumë në zvogëlimin e të interesuarve. Tani gjithashtu situata është e tensionuar dhe të shikojmë qysh po rrjedh ky proces por kjo ndikon shumë tek të rinjtë të cilat janë nga minoritarët”, thotë ai.
Ndërsa sivjet Kosova synon të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, si parakusht për anëtarësim në NATO.
Për këtë, Syla thotë se ushtria i ka krijuar të gjitha kushtet që ndihmojnë shtetin të arrijë këtë synim.
Syla: Si ushtri kemi krijuar kushtet për të ndihmuar shtetin të jetë afër plotësimit të standardeve për t’u futur në NATO
“Ne si ushtri kemi krijuar kushtet me të cilat do të ndihmonin shumë shtetin që të jetë afër plotësimit të standardeve për t’u futur në NATO, përderisa kjo është çështje politike që shteti duhet t’i krijojë të gjitha kushtet për të qenë anëtar i NATO-s por ne si segment ushtarak ne jemi shumë të avancuar në këtë drejtim dhe do të jemi shumë ndihmë e madhe për shtetin për ta plotësuar kriterin që nesër të jemi pjesë e NATO-s”, tha ai.
Ai pret që viti 2023 të shënojë gjithashtu anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut(A5), ku aktualisht ka vetëm rol vëzhgues.
Kosova gjithashtu do të shënojë një prej ngjarjeve kryesore, ushtrimin “Defender Europe 23”, ku do të jetë vend pritës në pranverën e këtij viti.
Syla thotë se FSK do të përfaqësohet me mbi një mijë ushtarë, ku do të ketë edhe në nivel komandues.
Sipas tij, ky ushtrim dëshmon arritjet konkrete të FSK-së dhe synimet e saj që nesër të jetë forcë me kapacitete të plota krah ushtrive moderne të NATO-s.
Syla: FSK do të jetë pjesë edhe e shumë misioneve paqeruajtëse jashtë vendit
“Ne kemi marrë pjesë në një zbarkim, në një mision që e kemi pasur jashtë vendit, por do të jemi edhe pjesë e misioneve të tjera të shumta meqë ne gradualisht po plotësojmë shumë kritere të cilat i kanë ushtritë e NATO-s. Ushtrimi Defender Europe 23 është edhe një refleksion i përgatitjes sonë, i besueshmërisë sonë dhe i dijës me kapacitete edhe të trajnimit, edhe të shkollimit, edhe të stërvitjes pro edhe gatishmërisë morale fizike psiqike të ushtarëve tanë. Sepse, e dini ju, ka kohë që ne bëjmë ushtrime të shumta edhe me armë reale, me qitje reale, të cilat janë një sfidë me të cilat ushtarët tanë gradualisht janë duke i kaluar këto faza dhe në Defender 23 edhe do të validohen apo certifikohen si njësi të gatshme për operacion zjarri”, thotë ai.