Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se ka vendosur që të moshuarit që jetojnë në Shtëpinë e Pleqve të zhvendosen në hotel, pasi shpërtheu një zjarr në objektin e tyre pasditen e sotme.
“Pas konsultimeve me ekipin e urgjencës mjekësore, zjarrfikësve dhe ekipin për siguri dhe emergjenca, u mor vendim që të moshuarit të zhvendosen në hotel për çështje sigurie, derisa të bëhet pastrimi i objektit”, thuhet në njoftim.
Komuna tutje theksoi se sa i përket shkaqeve të incidentit të zjarrit, njësitë relevante policore janë duke u marrë me rastin.
Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës Flora Ahmeti, e cila theksoi se disa persona kanë kërkuar ndihmë për shkak të vështirësive me frymëmarrje nga tymi.