Alban Zogaj ka njoftuar se ka dorëzuar dorëheqjen e tij si nënkryetar i Prishtinës, kjo pas zgjedhjes së tij si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Zogaj përmes një postimi në Facebook, thotë se detyrën e ka mbajtur me nder, përkushtim dhe dashuri të thellë për qytetin e tij.
“I jam pafundësisht mirënjohës ekipit me të cilin ndamë çdo sfidë dhe çdo sukses gjatë këtyre tri viteve. Bashkë kemi punuar me zemër, për Prishtinën që e duam të gjithë. Faleminderit Kryetarit Përparim Rama për besimin dhe bashkëpunimin. Nje falenderim i vecantë për Kryetarin Lumir Abdixhiku dhe gjithë ekipin e LDK-së. Faleminderit qytetarëve të Prishtinës që më kanë mbështetur në çdo hap”, thuhet në postimin e tij.
Si ka shkruar se dorëheqja vjen si rezultat i zgjedhjes së tij si Deputet në Kuvendin e Kosovës, duke shtuar se kjo është një përgjegjësi e madhe që e pranon me përulësi e përkushtim të plotë.
“Besimi i qytetarëve është shtysa ime më e madhe për të vazhduar punën në një nivel tjetër, tash për të gjithë Kosovën. Prishtina do të mbetet gjithmonë në zemrën time. Kjo nuk është një lamtumirë – është vetëm një kthesë e re në rrugën e shërbimit publik”.
LDK në zgjedhjet e 9 shkurtit u radhit si parti e tretë, ndërsa KQZ sot pritet të certifikon rezultatet.