Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka përuruar sot fabrikën e tekstilit në fshatin Stanoc i Epërm, në të cilën do të punësohen 60 gra të këtij lokaliteti.
Me rastin e përurimit të kësaj fabrike, Tahiri tha se është i lumtur që po u ofrojnë grave një mundësi për punësim.
“Sonte është një lajm tepër i mirë për Stanocin e Epërm, dua të falënderoj kompaninë “VITEX” të cilët i kanë qëndruar marrëveshjes me komunën e Vushtrrisë dhe e kanë rinovuar tërësisht ish-objektin e shkollës, i cili siç po e shohim të gjithë është shndërruar në një vend ku do të punësohen deri në 60 gra. Më vjen shumë mirë që ky angazhim i përbashkët i yni në interes të punësimit të grave po realizohet dhe u realizuan në këtë formë kaq të bukur. Unë dua të uroj të gjithë banorët e Stanocit të Epërm, dua të uroj të gjitha ato gra që do të punojnë këtu, sepse është një mundësi e jashtëzakonshme për të ulur papunësinë e lartë që e kemi te gratë”, tha Tahiri.
I pari i Vushtrrisë ka folur edhe protestat që ishin organizuar për të kundërshtuar ndërtimin e kësaj fabrike, e të cilët tha se duhet të kërkojnë falje para banorëve të këtij fshati.
“Më vjen shumë mirë që sot janë banorët e Stanocit këtu dhe po e mirëpresin këtë investim kaq të rëndësishëm dhe po ashtu më vjen mirë që të gjithë skeptikët u bindën që ky investim është i drejtë, i duhuri dhe i domosdoshmi. Besoj shumë sonte ata që e kundërshtuan për qëllime personale e individuale do të duhej të dalin dhe të kërkojnë falje para banorëve të Stanocit të Epërm për shkak se krejt Kosova pa protestat e paarsyeshme të tyre. Vërtet, sot është një mrekulli çfarë ka ndodhur në ish-objektin e shkollës në këtë punëtori ku do të kemi punësim, zhvillim e mbi të gjitha do t’iu japim shansin grave të këtij rajoni që të punojnë e me paratë e tyre të shkollojnë fëmijët e tyre”, u shpreh ai.
Tahiri tha se si komunë do të vazhdojnë të jenë pas secilin që krijon vende të reja të punës.