Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump ka nënshkruar një akt ligjor që synon të vendosë masa ndëshkuese ndaj individëve të Ballkanit Perëndimor që lidhen me korrupsion madhor dhe krimin e organizuar.
Një nga dispozitat kryesore të aktit është vendosja e sanksioneve. Presidenti i SHBA-së kërkon që, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj çdo individi të huaj të përfshirë në korrupsion që lidhet me Ballkanin Perëndimor. Masat që do të vendosen përfshijnë revokimin e vizave, ngrirjen e aseteve dhe ndalime të tjera financiare, duke goditur politikanë, zyrtarë dhe figura me influencë që janë kapur në praktika abuzive.
Përveç kësaj, SHBA ka dhënë sinjalin më të qartë për Ballkanin Perëndimor, pikërisht në Shqipëri se askush nuk do të shpëtojë nga Urdhri Ekzekutiv 14157, që synon asgjësimin e karteleve ndërkombëtare të drogës dhe rrjeteve të organizuara kriminale që veprojnë në Europë.
Në këtë kuadër, sipas burimeve të gazetës “SOT”, amerikanët e kanë nisur me politikanët shqiptarë që janë përfshirë në korrupsion, vendimmarrje të dyshuar dhe lidhje të mundshme me kartelet. Dyshohet se në listën e zezë janë kryeministri Edi Rama, zv/kryeministrja Belinda Balluku, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, së bashku me të tjerë zyrtarë të lartë, ish-zyrtarë, apo dhe oligarkë. Të gjithë janë të rrezikuar.
Pse Rama, Balluku dhe Vengu?
Përplasja e SHBA-së me kartelet ndërkombëtare të drogës dhe rrjetet e pastrimit të parave riktheu në vëmendje lidhjet e dyshuara të Ramës me individë si Luftar Hysa, i cili është përfshirë disa javë më parë nga Departamenti i Thesarit amerikan në sanksione për pastrim parash në bashkëpunim me kartelin e Sinaloas.
Takimi i Ramës me Hysën në zyrën e kryeministrit dhe investimet e familjes Hysa në kazinotë dhe bizneset luksoze në Shqipëri, sipas mediave ndërkombëtare, i japin një kuptim më të qartë shqetësimit të SHBA-së për ndikimin e krimit të organizuar në vend. SHBA e dinë shumë mirë se që nga dita e parë e ardhjes në pushtet, Rama nuk ka fituar thjesht zgjedhje, por ka ndërthurur politikën me ndikimin e fortë të grupeve të errëta të shoqërisë.
Në çdo fushatë, pas premtimeve dhe sloganeve të Ramës fshihej një realitet i pakundërshtueshëm: përkrahja e bandave dhe figurave të errëta të botës së krimit, të cilat jo vetëm e ndihmuan të vinte në pushtet, por edhe e mbajnë aty. Kjo mbështetje nuk erdhi pa kosto. Mjafton të shohim ndikimin e drejtpërdrejtë të eksponentëve kriminalë në qeverisje, tenderat e dhënë me PPP, dhe favorizimin e grupeve të caktuara në këmbim të përfitimeve elektorale.
Hetimet e SPAK-ut në bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, përfshirë amerikanët mbi grupet kryesore kriminale që janë goditur së fundmi kanë zbuluar se këto banda kanë përfituar prej viteve me radhë nga projekte publike, tenderë dhe leje që u mundësonin pastrimin e parave të paligjshme. Sipas hetimeve, Rama ka luajtur një rol kyç në lehtësimin e këtyre operacioneve, duke siguruar një mjedis të favorshëm për aktivitetet e tyre financiare. Këtë fakt e vërtetoi dhe goditja e SHBA ndaj Luftar Hysës. Dhe amerikanët nuk falin kur bëhet fjalë për këto raste të rënda.
Alarmi
Në fokusin e SHBA-ve nuk janë vetën lidhjet me kartelet e drogës, por edhe projektet ekonomike që kanë krijuar ekspozim të infrastrukturës kritike shqiptare ndaj aktorëve të dyshimtë të huaj, duke cenuar standardet e sigurisë kombëtare, stabilitetin rajonal dhe interesat euroatlantike. Projektet e mëdha infrastrukturore dhe strategjike të miratuara nga qeveria shqiptare janë vlerësuar si raste ku mungesa e transparencës dhe përjashtimi i filtrave të sigurisë kanë krijuar rrezik real.
Një nga rastet që ka ngritur shqetësim të drejtpërdrejtë është Porto Romano. Pretendohet se lëvizjet e Ballukut, Pirro Vengut dhe Ramës, i kanë hapur rrugë aktorëve si Rusia, Greqia, apo dhe Serbia, si edhe karteleve të drogës, që kanë interes të ndikojnë në sabotimin e ndërtimit të portit të ri të NATO-s në Adriatik.
Në informacionet që janë në duart dhe të amerikanëve dhe SPAK përmendet emri i oligarkut rus Ivan Savvidis, pronar i Portit të Selanikut, si aktor që në Greqi njihet për ndikim politik dhe lidhje me kompaninë Archirodon, të cilën Balluku u kujdes që ta fitonte tenderin në mënyrë korruptive. Sipas informacioneve, kjo përbën rrezik për sigurinë kombëtare, duke qenë se Porto Romano është port i ardhshëm i NATO-s. Nga ana tjetër, debati për projektin “Smart City” ka kaluar kufijtë e transparencës financiare dhe procedurale, duke u shndërruar në një çështje të sigurisë strategjike.
Sistemi i ri i monitorimit dixhital që Rama po e aplikon me urgjencë, i cili do të mbledhë dhe përpunojë të dhëna nga kamerat, radarët dhe sensorët në gjithë territorin shqiptar, është kontraktuar drejtpërdrejt me kompaninë Presight AI nga Emiratet, një kompani që bën pjesë në grupin G42, i cili është akuzuar nga amerikanët për lidhje teknologjike me entitete kineze. Në artikujt e mëparshëm gazeta “SOT” analizoi mënyrën se si qeveria shqiptare i dha kontratën pa tender, përmes një kuadri të veçantë ligjor që e përjashton Presight AI nga procedurat normale të prokurimit. Po aq problematike është edhe klasifikimi “sekret” i marrëveshjes, i cili e ka lënë të paqartë se çfarë aksesesh teknike dhe juridike merr kompania e huaj mbi sistemin.


























