Tre persona janë vrarë dhe 28 të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse në zonat e banuara në Kharkiv të hënën, sipas Oleh Synehubov, kreut të administratës ushtarake rajonale, shkruan CNN.
“Sipas informacioneve të fundit nga qendra rajonale për ndihmë mjekësore urgjente, 28 persona, mes tyre një 16-vjeçar, janë lënduar si pasojë e bombardimeve në Kharkiv. Tre persona vdiqën”, tha Synehubov në një postim në Telegram.
Kyrylo Tymoshenko, një ndihmës i presidentit Volodymr Zelensky, konfirmoi gjithashtu numrin e të vdekurve nga sulmi në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, i cili shtrihet në verilindje të vendit.
Sulmet ruse në periferi të Kharkiv dhe zonave përreth janë intensifikuar gjatë korrikut. Të paktën 18 persona u vranë pasi forcat ruse goditën një bllok apartamentesh në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore të shtunën në mbrëmje, sipas autoriteteve ukrainase.
Ndërtesa e banimit në qytetin Chasiv Yar u godit pasi Rusia shtoi sulmet në qytete dhe qyteza në Ukrainën lindore, në një përpjekje për të marrë kontrollin mbi të gjithë zonën e Donbasit.