Qytetarët në Kosovë kanë filluar të paguajnë për qeset e plastikes, por disa prej tyre kanë shumë paqartësi lidhur me Udhëzimin Administrativ për ndalimin e qeseve të plastikës, i cili ka hyrë në fuqi që nga data 29 shtator të këtij viti.
Disa qytetarët kanë dërguar fotografi në redaksinë e Telegrafit duke treguar se po paguajnë për qeset e plastikës, por që disa markete po vendosin logot e tyre, gjë kjo e cila bie në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Gjithashtu, ata thonë se nuk dinë se cilat qese janë pa pagesë, pasi Udhëzimi Administrativ parasheh se pagesa të bëhet për qeset që peshojnë nga 25 deri 50 mikron.
Konsumatorët po paguajnë nga 5 centë për qeset e plastikes.
Në njoftimin e bërë për media, Aliu kishte shkruar se ndalohet vendosja e llogos, markës tregtare, slloganit, emrit të prodhuesit ose shitësit në qese plastike.
“Ndalohet prodhimi, importi dhe shitja në treg e qeseve plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza me trashësi nga zero (0) deri në njëzetepesë (25) mikron. Ndalohet prodhimi, importi dhe shitja në treg e qeseve plastike mbajtëse të okso-degradueshme. Ndalohet vendosja e: llogos, markës tregtare, slloganit, emrit të prodhuesit ose shitësit, në qese plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza prej njëzetepesë (25) deri pesëdhjetë (50) mikron”, ka pohuar ministri.
Udhëzimi Administrativ ka për qëllim nxitjen e riciklimit dhe të përmirësojë qëndrueshmërinë e mjedisit në vend.
Telegrafi ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të marrë sqarime shtesë rreth Udhëzimit Administrativ për qeset e plastikes.


























