Lufta hibride e Serbisë kundër Kosovës mund të përkufizohet si ndërhyrje politike, ekonomike dhe e sigurisë, ka thënë drejtori i “Octopus”, prof. Arben Fetoshi.
Ai po ashtu, tha se e drejta për zgjedhje të lira dhe racionale si fundament i demokracisë është më e kërcënuar se kurrë nga ndërhyrjet gjithnjë e më komplekse e të sofistikuara të autokracive më qëllime hegjemoniste.
“Rusia kundrejt perëndimit dhe NATO-s për ta rikthyer perandorinë e kuqe, Serbia kundër gjithë rajonit për ta realizuar botën serbe. Strategjitë e ndërhyrjes me dezinformimin, narrativat mashtruese, sulmet kibernetike, financimet e fshehta dhe manipulimet financiare janë bërë edhe më perfide siç dëshmon rasti i zgjedhjeve të nëntorit në Rumani me llogari të rrejshme në rrjetet sociale, me influencerë të paguar si dhe keqpërdorim të inteligjencës artificial”, tha Fetoshi.
Këto deklarime Fetoshi i bëri në tryezën e Institutit për Studime të Luftës Hibride ‘Octopus’ që po mbahet sot me temën: “Ndërhyrja e huaj në zgjedhje dhe ndikimi i saj në sigurinë kombëtare dhe demokraci”, që ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet që paraqesin ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore.
Tutje Fetoshi është shprehur se me gjithë faktorët social dhe pavarësisht përparësive të Kosovës, me ngufatjen e demokracisë të komunitetit serb dhe me narrativa mashtruese që thellojnë ndarjen etnike në Kosovë, sipas tij, Serbia vazhdon të jetë kërcenim serioz edhe për sigurinë nacionale.
“Qasje e njëjtë nga Serbia po vërehet edhe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Partia e Vuçiqit ka bërë thirrje që të votohet vetëm Lista Serbe. Qeveria e saj është mobolizuar ta mbështesë me të gjitha mjetet, duke përdorur edhe metodat financiare. Angazhimi i Serbisë për t’ia siguruar Listës Serbe 10 mandatet e garantuara në Kuvendin e Kosovës nuk ka të bëjë vetëm me qëllimin për kontroll të Rusisë. Pavarësisht faktorëve historik e social që e pengojnë ndërhyrjen direkte të Rusisë, Kosova nuk mund ta fitojë normalizimin me Serbinë derisa ‘Lista Serbe’ të jetë entiteti politik që i përfaqëson serbët e Kosovës”, shtoi ai.