Shkruan: Vudi Xhymshiti
Në peizazhin e dendur të politikës ballkanike, ku kujtesa është e gjatë dhe plagët historike rrijnë pranë sipërfaqes, qartësia është shpesh e rrallë. Por qartësia në rastin e përfaqësueses republikane amerikane Claudia Tenney është e pamohueshme: një linjë e pandërprerë e mbështetjes për Beogradin, e konsoliduar në çdo deklaratë dhe veprim politik që ka ndërmarrë..
Këtë javë, portali kosovar Gazeta Express raportoi1 mbi thirrjen publike të Tenney-t për lirimin e menjëhershëm të Igor Popovic, zyrtar serb i arrestuar nga policia e Kosovës për fyerje publike ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
E paraqitur si një mbrojtëse e të drejtave të njeriut, kjo deklaratë nuk ishte aspak neutrale. Ajo që Gazeta Express nuk e përmendi, është një mangësi jo e vogël editoriale se Tenney nuk është thjesht një vëzhguese e çështjeve të Ballkanit, por një aleate e dekoruar e Serbisë2, e nderuar personalisht nga presidenti Aleksandar Vuqiç me urdhrin më të lartë shtetëror, Urdhri i Flamurit të Serbisë, Klasi i Parë.

Pamje dixhitale nga materialit raportues i Gazetës Express.
Një karrierë e ndërtuar mbi favorizimin e Serbisë
Për të kuptuar peshën e ndërhyrjes së Tenney-t, mjafton të shohësh arkivin e saj publik. Në shkurt 2022, ajo udhëhoqi një letër bipartizane drejtuar presidentit Biden, duke shënuar 140-vjetorin e marrëdhënieve SHBA–Serbi. Në atë letër3, Serbia u paraqit si “aktor strategjik i rëndësishëm” dhe “urë mes Lindjes dhe Perëndimit”. Po atë vit, kur çështja e targave në veri të Kosovës u bë krizë, Tenney u rreshtua pa hezitim në krah të Beogradit, duke fajësuar Prishtinën për “masa ndëshkuese” ndaj serbëve lokalë4.
Në vitin 2023, retorika e saj u ashpërsua. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih5, ajo e akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Albin Kurti si “shkaktarin e destabilitetit në rajon”, një pozicion që as diplomacia e kujdesshme dhe as realiteti historik nuk e mbështesin. Po atë vit, pas trazirave në veri, ajo kërkoi që Kurti të “kthejë rrugëtimin menjëherë”, duke përdorur pothuajse fjalë për fjalë6 gjuhën e udhëheqjes serbe7.
Fiksimi me Marrëveshjen e Brukselit
Tenney e ka kthyer në bosht të deklaratave të saj Marrëveshjen e Brukselit8 të vitit 20139 dhe kërkesën për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe10. Në komunikime publike, ajo paraqet zbatimin e saj si provë të vetme të legjitimitetit demokratik të Kosovës, duke injoruar plotësisht shkeljet e Serbisë nga strukturat paralele deri te mosnjohja e pavarësisë së Kosovës.
Madje edhe pas sulmit të armatosur të shtatorit 2023 në Banjë11, ku një polic i Kosovës u vra nga militantë serbë, Tenney nuk u fokusua te solidariteti me viktimën apo te përgjegjësia e Beogradit, por tek “trajtim i serbëve të Kosovës nga Kurti” dhe lavdërimet për Vuqiçin.
Në dhjetor të po atij viti, ajo propozoi ndalimin e ndihmës amerikane për Kosovën derisa të zbatohej Marrëveshja e Brukselit12, duke e paraqitur Kosovën si shkelësen e “normave ndërkombëtare” dhe burimin e tensionit në rajon13.
Nga Kongresi në Beograd
Në maj 2025, Tenney e bëri të qartë ku qëndronte besnikëria e saj politike: pranë Vuqiçit në Beograd, duke marrë Urdhrin e Flamurit të Serbisë14. Ajo kujtoi me nostalgji kohën kur kishte jetuar në Jugosllavi dhe transmetoi përshëndetje nga Donald Trump për popullin serb. Në çdo realitet politik të shëndetshëm, një zyrtare e lartë e nderuar nga një shtet i përfshirë në mosmarrëveshje territoriale me një aleat të SHBA-ve do të ngrinte pikëpyetje të mëdha mbi integritetin e saj diplomatik.
Rasti Popovic dhe heshtja e Gazetës Express
Tani, Tenney përdor parimin e lirisë së shprehjes për të kërkuar lirimin e Popoviçit15, një zyrtar i akuzuar për nxitje të urrejtjes etnike përmes fyerjeve ndaj UÇK-së16. Mungesa e kontekstit në raportimin e Gazeta Express është e habitshme, duke ia mohuar lexuesit shqiptar të drejtën për t’i kuptuar prapavijat e këtyre thirrjeve, Express tregon se nuk është e pavarur politikisht, por pjesë e një linje të pandryshueshme pro-serbe17.
Një problem më i thellë editorial
Kjo nuk është hera e parë që Gazeta Express shmang të konfrontojë Serbinë me qartësinë që situata kërkon. Qasja e saj shpesh pasqyron narrativat e mediave shtetërore serbe, minimizon agresionin e Beogradit dhe vendos theksin te “dështimet” e Kosovës, sidomos në raport me Asociacionin. Kjo linjë editoriale anashkalon faktin se një Asociacion me kompetenca ekzekutive do të ishte një “kalë Troje” kushtetues, që do të përsëriste modelin e Republikës Serbe në Bosnje.
Për më tepër, portali ka treguar një prirje të heshtë ndaj faktit se Serbia është e lidhur ngushtë me politikën e jashtme të Kremlinit që nga shtatori 202218, duke e nisur një operacion i cili mëtonte kthimin e veriut të Kosovës në një vatër të përhershme destabiliteti, operacion ky që strukturalisht ishte i mbështetur nga Beogradi, por i cili e pa fundin e tij në Janar të këtij viti19.
Claudia Tenney nuk është thjesht një zë amerikan që komenton mbi marrëdhëniet Kosovë–Serbi. Ajo është, në fjalë, në vepra dhe në dekorata, një zë i Serbisë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Pa e kuptuar këtë kontekst, publiku kosovar rrezikon të marrë deklarata të tilla si të motivuara nga parime universale, kur në fakt ato burojnë nga një linjë tërësisht e rreshtuar me interesat e Beogradit. Në një rajon ku e vërteta është po aq e brishtë sa edhe paqja, media ka detyrimin të tregojë gjithë tablonë, jo vetëm pjesët që i përshtaten narrativës së momentit.


























