Edhe pse festa e Pavarësisë së Kosovës është nesër, Rama u nis sot për të takuar Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, në një kohë kur në Hagë po zhvillohen hapat e fundit të gjyqit për ish-liderët e UÇK-së. Gjatë promovimit të librit “Kur heshtja flet”, nga Prof. Dr. Ahmet Shala, Rama tentoi të hiqej si “Baba i kombit” dhe se i dhimbsen shumë Thaçi me shokë.

Ishte vetë Kurti që më pas reagoi në rrjetet sociale, duke u mjaftuar me një postim të shkurtër.
“Mirëprita Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për marrëveshjet bilaterale që kemi dhe fushat se ku mund t’i shtojmë ato, për mundësitë e reja dhe si t’i shfrytëzojmë sa më mirë, si dhe për sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato sa më lehtë. Me mandatet tona të ripërtërira, përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror, le t’u shërbejmë edhe më tej e më shumë qytetarëve në të dy republikat dhe kombit tonë mbarë”, shkruan Kurti. Vetë Rama nuk ka bërë ende asnjë postim mbi këtë takim.

Nëse shohim edhe ceremoninë e pritjes, duket se raportet mes tyre janë të ftohta. Të dy kanë qëndruar të vrenjtur. Rama prej vitesh ka tentuar të bëjë rolin e protagonistit, duke kritikuar sjelljet e Kosovës, duke goditur Kurtin etj. Në vitin 2023 madje, Rama i shkoi në Kryeministri Kurtit, dhe ky i fundit nuk pranoi ta takonte, duke dëshmuar se sa të acaruara ishin raportet. Tani raportet janë pak më ndryshe, por sot u dëshmua se akulli mes tyre është ende i trashë. /Pamfleti
























