Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka pritur në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, përcjell KosovaPost.
Në këtë takim, Abdixhiku dhe ministri Hasani diskutuan rreth zhvillimeve aktuale politike në Kosovë dhe Shqipëri, me theks të veçantë për politikën e jashtme.
“Kryetari Abdixhiku, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Shqipërinë, sidomos në arenën ndërkombëtare, si dhe falënderoi ministrin Hasani për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë në të gjitha proceset e vendit tonë.”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Gjatë takimit është diskutuar në veçanti për thellimin e këtij bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në interes të përshpejtimit të procesit integrues të vendit tonë në strukturat euroatlantike.