Zyra e BE-së ka njoftuar se Aivo Orav e ka marrë të hënën detyrën e ambasadorit të ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, transmeton KosovaPost.
“Në emër të të gjithë stafit të BE-së në Kosovë, mirëseardhje të përzemërt për Aivo Orav, ambasadorin e ri të BE-së në Kosovë!”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim theksohet se Orav është i përkushtuar që të mvbështesë Kosovën drejt procesit të integrimit.
“Duke ardhur nga Estonia, një vend, pranimi i të cilit në BE ka qenë një histori suksesi, Ambasadori ynë i ri është i përkushtuar që të bëjë hapin më të madh për të mbështetur Kosovën që të bëhet edhe një histori suksesi në BE!”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Zyres së BE-së.
Ai zotohet të punojë me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë të BE-së në Kosovë për:
Të çuar përpara marrëdhëniet diplomatike dhe politike
Të konsolidojë pozicionin e BE-së si investitori, partneri tregtar dhe donatori më i madh i Kosovës
Të mbështes rrugën e Kosovës në BE dhe reformat në lidhje me BE-në.
Ambasadori Aivo Orav i ka marrë detyrat e tij për një periudhë fillestare prej dy vitesh, duke pasuar Tomsh Szunyog, i cili ka qenë në post që nga viti 2020.