Ka përfunduar aksioni i përbashkët mes Prokurorisë Speciale, Doganës dhe Policisë së Kosovës, i zhvilluar në veri të vendit dhe në Prishtinë, i nisur në mëngjes.
Siç merr vesh lajmi.net, në këtë aksion janë arrestuar 10 zyrtarë të shtetit, 9 doganierë dhe 1 polic.
Të njëjtit janë arrestuar nën dyshimet për ryshfet, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kontrabandë.
Disa nga të arrestuarit, merret vesh se janë nga rajoni i Mitrovicës dhe dyshohen për kontrabandë.
Ndryshe aksionin paraprakisht për lajmi.net e konfirmoi Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale. Ai shtoi se aksioni është duke u zhvilluar nën dyshimet për veprat penale të korrupsionit.
“Ju njoftojmë se aksioni është duke u zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Speciale, për veprat penale Korrupsioni, marrje ryshfeti dhe shpërdorim të detyrës zyrtare”, ka thënë Lutfiu.


























