Bota e Hollovudit pësoi tronditje të dielën mbrëma në ndarjen e çmimeve Oscar 2022, pasi aktori Will Smith hyri në skenë dhe goditi në fytyrë komikun Chris Rock, transmeton Kosova Post.
Rock bëri një shaka për gruan e Smith, Jada Pinkett Smith, teksa po prezantonte nominimet për dokumentarin më të mirë.
“Jada, të dua. G.I. Jane 2, mezi pres ta shikoj”, tha Rock në formë shakaje, duke iu referuar siç dukej prerjes së shkurtër të flokëve nga Pinkett Smith, sikurse qethja ushtarake e aktores Demi Moore në filmin “G.I. Jane”.
Kamerat u kthyen tek Smith, i cili bërtiti: “Mbaje emrin e gruas sime larg nga goja jote!”
Smith më vonë fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë për filmin “King Richard”, ku ai luan rolin e babait të fenomeneve të tenisit Venus dhe Serena Williams.
Ai e trajtoi në mënyrë të tërthortë incidentin në fjalimin e tij të pranimit të çmimit, duke e lidhur me rolin e tij në film.
“Richard Williams ishte një mbrojtës i ashpër i familjes së tij. Arti imiton jetën. Unë dukem si babai i çmendur, ashtu siç thanë ata…si babai i çmendur, ashtu siç thanë për Richard Williams”, tha Smith.
“Unë thirrem në jetën time që t’i dua njerëzit dhe t’i mbroj njerëzit. Unë di të bëj atë që bëjmë ne. Duhet të jeni në gjendje të përballoni abuzimin, duhet të jeni në gjendje të lejoni që njerëzit të flasin marrëzira për ju. Në këtë biznes, duhet të jeni në gjendje t’i lejoni njerëzit të mos ju respektojnë, duhet të buzëqeshni dhe të pretendoni se kjo është në rregull”, u shpreh aktori.
Smith nuk e përmendi komikun Chris Rock me emër, por i kërkoi një falje të përgjithshme Akademisë gjatë fjalimit të tij.
“Dua t’i kërkoj falje Akademisë. Unë dua t’u kërkoj falje të gjithë kolegëve të mi të nominuar”, tha Smith.
“Faleminderit. Shpresoj që Akademia të më fton përsëri”, përfundoi aktori amerikan.aa