Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar pas lajmit se zëvendësministri aktual i këtij dikasteri, ka dërguar në Prokurorinë Speciale kontratën e nënshkruar nga ish-ministri Lekaj, ku vlera e parashikuar ishte 500 mijë euro ndërsa kishte përfunduar në vlerë prej 5 milionë e 300 mijë euro.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lekaj ka thënë se kjo akuzë është tendencioze dhe sipas tij, Durmishi po përmend emrin e tij për ta shpërqëndruar vëmendjen nga siç thotë ai, aferat e tij korruptive.
“Derisa në Ministrinë e Liburn Aliut është instaluar një anarki totale financiare dhe keqpërdorim i thellë i buxhetit, me të cilat keqpërdorime duhet te merren seriozisht organet, zëvendësi i tij Hysen Durmishi, një ditë pasi i dha tender 1 milion Euro ish-shefit të tij, del dhe përmend emrin tim në media pa asnjë argument, vetëm e vetëm për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet dhe aferat e tij korruptive.”, ka shkruar Lekaj.
Tutje, ish-ministri thotë se në kohën sa udhëhiqte me MI-në, nuk ka nënshkruar asnjë kontratë të tillë dhe sipas tij kjo do të dëshmohet shumë shpejt.
“Nga unë, gjatë kohës kur kam qenë Ministër i Infrastrukturës, e them me bindje të plotë, dhe kjo do të dëshmohet shumë shpejtë, nuk kam nënshkruar asnjë kontratë të tillë siç është përshkruar në deklarimet e z. Durmishit. Paraqitja e z. Durmishi dhe implikimi i im në deklarimet e tij, sikurse edhe raportimet dhe titujt e mediave janë tendencioze ndaj meje.”, ka deklaruar Lekaj.