Në një vend ku premtimet institucionale për të rinjtë zakonisht përfundojnë në letra të harruara, realiteti është shumë më i ashpër. Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut po përballen me pasiguri ekonomike, punësim të paqëndrueshëm dhe mungesë të perspektivës për të ndërtuar një të ardhme këtu.
Në vend të mundësive, ajo që u ofrohet është një e ardhme “me kontratë të përkohshme”, jo vetëm në kuptimin literal të tregut të punës, por edhe në ndjenjën e përkatësisë dhe sigurisë në vendin e tyre.
E njëjta situatë pasqyrohet edhe në sondazhin e Fondacionit Westminster për Demokraci (WFD), ku 62 për qind e të rinjve deklarojnë se duan të emigrojnë, ndërsa 77 për qind prej tyre nuk planifikojnë të kthehen.
Megjithëse ekzistojnë programe mbështetëse për “start-up”, bujqësi apo punësim të të rinjve përmes agjencive shtetërore, sipas organizatave të shoqërisë civile ato janë të fragmentuara, pak të njohura dhe pa ndikim afatgjatë. Politikat nuk janë të koordinuara dhe shpesh nuk përputhen me nevojat reale të tregut të punës.
Emigrimi i të rinjve nuk ka vetëm ndikim personal, por edhe pasoja të thella për sistemin ekonomik dhe social të vendit. Me largimin e të rinjve të arsimuar dhe të aftë, sektori publik dhe privat përballet me mungesë të fuqisë punëtore kualifikuese, veçanërisht në shëndetësi, ndërtimtari, IT dhe arsim. Shkollat po zbrazin klasat, universitetet humbin studentë dhe kompanitë vështirë gjejnë punonjës të qëndrueshëm. Ndryshe, Maqedonia e Veriut nuk është e vetmja që përballet me këtë fenomen. Migrimi i të rinjve është i përhapur në gjithë Ballkanin Perëndimor, por shkalla e ikjes në raport me popullsinë është ndër më të lartat. Sipas të dhënave të Eurostat, 40 për qind e të rinjve nga rajoni emigrojnë për punë ose studime në vendet e BE-së. Nga vendi ynë janë larguar rreth 60.000 të rinj në pesë vitet e fundit, duke zbrazur pjesën më aktive të shoqërisë.
























