Policia e Kosovës ka informuar se nuk është gjetur asgjë e dyshimtë në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”, pas alarmit për bombë.
Zëdhënësi i policisë, Agron Borovci ka thënë për Express se pas kontrolleve nga njësitet e specializuara, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
“Sot rreth orës 10:30, Policia e Kosovës ka marrë një informatë ndërlidhur me kërcënimet për shpërthim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Njësitet policore u janë përgjigjur menjëherë këtyre kërcënimeve duke dalë në vendngjarje, dhe duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë. Nga njësitë e specializuara janë kryer kontrolle të plota të zonës dhe nuk është gjetur asgjë e dyshimtë”, ka thënë ai për Gazetën Express.
“Policia e Kosovës është e përkushtuar për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën. Ne vlerësojmë bashkëpunimin dhe durimin e qytetarëve si dhe personelit të aeroportit gjatë kësaj kohe”, tha ndër të tjera ai.
Edhe nga Zyra për Media e Aeroportit, ku kanë bërë me dije se aeroporti tashmë është i hapur për fluturime dhe se të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht.
“Ju njoftojmë se pas kërcënimit për bombë janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore nga organet kompetente të Republikës së Kosovës. Kjo ka rezultuar se kërcënimi për bombë ka qenë alarm i rrejshëm. ANP ‘Adem Jashari’ LKIA është i hapur për fluturime, dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht””, thuhet në njoftim.