Opioninisti nga Shqipëria, Fatos Lubonja, lidhur me vizitat e ndërkombëtarëve në Kosovë dhe në Beograd, ka thënë se vërehet një shqetësim i tyre për ‘sherrin’ ose konfliktin e ngrirë midis Kosovës dhe Serbisë.
Për Lubonjen, trysnia më e madhe për të bërë kompromise është mbi Kosovën.
“Tani unë nuk e shikoj këtë thjesht si politikë të Macron, këtu kuptohet që ka një shqetësim për këtë sherr apo konfikt të ngrirë midis Serbisë dhe Kosovës ku duhen bërë kompromise. Trysnia më e madhe është mbi Kosovën pra ku i kërkohet Kosovës diçka”, ka thënë ai në emisionin “Këndi I Debatit”, në tëvë1.
Më tej, ai është shprehur se për presionet nga fuqitë e mëdha ndaj Kosovës, pushteti dhe opozita duhet të gjejnë hapësira veprimi që duke mos iu kundërvënë atyre të mbrojnë edhe interesat e Kosovës.
Sipas Lubonjës, këto presione “mbajnë erë” që duhet bërë lëshime ndaj Serbisë e cila siç tha ai, është shtet më i fuqishëm në Ballkan.
“Komenti im është ky, që këtu është në vështirësi Kosova ose qeveria e Kosovës që nganjëherë nuk janë e njëjta gjë të kuptohemi, por politikanët në përgjithësi kush qeveris por edhe opozita, duhet të gjejnë një hapësirë veprimi ku njëkohësisht këto kërkesa e këto presione që bëhen nga fuqitë e mëdha, duke mos iu kundërvënë plotësisht atyre, mund të mbrojnë edhe interesat e Kosovës aq sa është e mundur, sepse mbajnë erë këto deklarata e këto presione që nuk e dimë , mbajnë erë që këtu i duhet bërë lëshim më shumë Serbisë, që detyrimisht duhet të pranojmë që është një shtet më i fuqishëm e me më shumë influencë në Ballkan”, ka shtuar Lubonja