Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagim Krasniqi. Apeli ka refuzuar ankesën e mbrojtësit të Krasniqit dhe ka konfirmuar aktvendimin e datës 05.12.2024.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin PS.nr.67/24, të datës 05.12.2024, i ka refuzuar si të pabazuara kërkesën për hedhjen të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurit N.K., kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PPS.nr.40/2023, të datës 19.08.2024, në të cilën i pandehuri i lartcekur akuzohet për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi, nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të KPRK”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar aktvendimin e ankimuar dhe ka konstatuar se i njëjti nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo shkelje tjera të cilat do ta kushtëzonin anulimin e aktvendimit.
Gjithashtu, kolegji gjykues ka vlerësuar se nuk ka asnjë provë që mund të konsiderohet e papranueshme ose që është mbledhur në kundërshtim me dispozitat ligjore, si dhe nuk janë identifikuar asnjëra prej bazave ligjore që mund të justifikonin përjashtimin e provave./rtk