Katër persona të nacionalitetit serb janë arrestuar në Gjakovë, dy prej të cilëve janë zyrtarë aktivë të sigurisë në Serbi – një polic aktiv dhe një pjesëtar i inteligjencës së ushtrisë serbe. Gjatë kontrollit të automjeteve të tyre, janë gjetur edhe armë.
Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të nacionalitetit serb në Gjakovë, mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 19:00. Arrestimi është kryer nga njësitet policore të Gjakovës, të cilët kanë ndaluar katër meshkuj serbë në rrugën “Gaspër Karaqi”. Pas verifikimeve, ata janë identifikuar si: N.V. (1982), P.K. (1990), B.R. (1978), dhe M.S. (1982).
Këtë e konfirmoi për RTK, major Milazim Lumi, komandant i Stacionit Policor në Gjakovë.
Gjatë kontrollit të automjetit, në bagazh janë gjetur armë, çka ka çuar në hapjen e rastit për “posedim dhe armbajtje pa leje”. Pas konsultimeve me Prokurorinë e Shtetit, katër të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.
Bëhet e ditur se dyshimet fillestare janë se të arrestuarit mund të kenë lidhje me Agjencinë e Inteligjencës të Serbisë (BIA). Dy prej tyre janë zyrtarë të sigurisë në Serbi: njëri është polic aktiv, ndërsa tjetri është pjesëtar i inteligjencës së ushtrisë serbe.