Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona lidhur me vrasjen e një gruaje që ka ndodhur të mërkurën, më 29 nëntor, në Prishtinë. Mësohet se njëri nga të arrestuarit është Naim Murseli bashkëshorti i viktimës Liridone Ademaj – Murseli, përcjell KosovaPost.
Në njoftimin e Policisë thuhet se pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e vrasjes.
Mediat kanë raportuar se njëri nga personat e arrestuar është Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, i cili ka qenë këshilltar i ish-presidentit Behgjet Pacolli.
Liridone Ademaj – Murseli, e cila dyshohet se është vrarë nga grabitësit në Prishtinë, është varrosur sot në Cërmjan të Gjakovës.
Liridona Murseli, rreth 30-vjeçare, u vra të mërkurën mbrëma gjatë një grabitjeje të armatosur, ndërsa bashkëshorti i saj me fëmijët kanë arritur që të ikin nga vetura.
























