Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, pas raportimeve për qarkullim të mishit me origjinë nga Brazili e me mbishkrim që është nga Kosova, ka kryer inspektimet e duhura për rastin e kompanisë “Apetit”.
Sipas komunikatës nga kjo agjenci, bëhet me dije se mishi është me origjinë nga Kosova ashtu siç ka qenë edhe në mbishkrim.
“Dërgesa e produktit mish gjedhi i ngrirë 1,000.00 kg/neto (një mijë), e certifikuar nga AUV me datë 18.03.2024 dhe dërguar në Shqipëri më datë 19.03.2024, të cilës ju ka referuar emisioni ‘Stop’ rezulton nga kafshët e therura në Kosovë”, njofton AUV.
Tutje bëhet e ditur se certifikimi i eksportit në Shqipëri është realizuar në përputhje me legjislacionin përkatës dhe praktikat e aplikuara.
“Bazuar në rezultatet e inspektimit, auditimit, gjurmimit dhe mostrimit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës konfirmon se nuk është cënuar shëndeti i konsumatorit dhe se mishi dhe produktet e tij janë të përshtatshme për konsum (eksport, import dhe treg të brendshëm)”, njofton agjencia në fjalë.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, inspektorin e AUV-it, të dyshuar për mashtrim e manipulim të dokumenteve zyrtare, e kishte dërguar në komision disiplinor, ndërsa vet kompanisë “Apetiti” i kishte vendosur masën e ndalesës për eksport-import.